Në një intervistë në emisionin “Kjo Javë” në News24, Adelina Farici nga shoqata Kombëtare e Bashkive të Shqipërisë, komentoi Reformën Territoriale, nuk u ndalur përkatësisht tek situata në zonat rurale.
Gjatë intervistës, ajo theksoi se ka përmirësime të shërbimeve, por megjithatë ka ende të tilla që nuk janë në pritshmëritë e qytetarëve. Gjithashtu Farici theksoi se ka shumë rëndësi që fokusi të jetë tek kompetencat, financat si edhe tek pjesa administrative.
“Mendoj që ka përmirësime të shërbimeve, por nuk janë në pritshmëri të qytetarëve. Nëse do marrim ndriçim apo pastrim, ofrohet në zona rurale që dikur nuk ofrohej fare. Por nëse do të marrim shërbimin social është i përmirësuar, por përsëri nuk është në nivelin e duhur sepse çdo bashki duhet të ketë një qendër rezidenciale në funksion të personave në nevojë, të dhunuar apo të pamundur. Ndaj thashë duhet të kemi standarde minimale kombëtare dhe ne më pas të flasim se kush nga këto standarde plotësohen dhe kush jo. Sa për borxhin shumë bashki e kanë bërë shlyerjen e borxhit 100 % vetë. Qeveria iu ka dhënë vetëm bashkive që kanë pamundësi gjenerimi të ardhurash. Kjo vjen edhe si rezultat i asaj që duhet të rishikohet reforma administrative territoriale. Duhet të shikohet mënyra se si mund të rriten të ardhurat e kësaj bashkive, nëse bashkimi i kësaj bashkie me një territor tjetër që gjeneron të ardhura, mund të kishte ndryshim. Duhet të fokusohemi, te kompetencat, financat dhe pjesa administrative, të adresohet problematika në këtë drejtim, dhe më pas kjo të çon tek pjesa Territoriale. Ne themi që nuk kanë përfaqësi zonat rurale, por jo çdo njësi administrative si dikur ka përfaqësim në Këshillin Bashkiak”, tha ndër të tjera Farici.













