Banorët e zonës së ish-Kënetës në Durrës janë ngritur në protestë pas aksidentit tragjik që i mori jetën dy fëmijëve dhe la të plagosur rëndë një tjetër.
Me pankarta në duar dhe lot në sy, qytetarët kanë marshuar nga vendi i ngjarjes drejt bashkisë, duke kërkuar drejtësi dhe ndërhyrje urgjente nga autoritetet. Krahas kësaj, ata kërkojnë edhe krijimin e hapësirave të sigurta për fëmijët, përfshirë ndërtimin e një parku lojërash në zonë.
Mesazhet e tyre ishin të drejtpërdrejta: “Dy jetë të mitura u fikën, ku është drejtësia?”, “Nuk ishin numra, ishin fëmijë” dhe “Kjo plagë nuk mbyllet pa drejtësi”.
Ngjarja që tronditi qytetin
Aksidenti ndodhi më 3 maj në zonën e ish-Kënetës, ku 57-vjeçari Nikoll Radaçi, duke drejtuar një automjet tip “Mercedes-Benz ML”, përplasi tre fëmijë të moshave 8, 10 dhe 12 vjeç që ndodheshin në trotuar.
Si pasojë, dy prej tyre humbën jetën në vend, ndërsa fëmija i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Sipas të dhënave hetimore, drejtuesi i mjetit ishte në gjendje të dehur, me nivel alkooli 0.73 mg/l, dhe pas aksidentit u largua nga vendngjarja. Autoritetet kanë bërë të ditur se ai ka precedentë të mëparshëm për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, përfshirë pezullimin e lejes së drejtimit në vitet 2020 dhe 2022.
Protesta e banorëve pasqyron shqetësimin në rritje për sigurinë rrugore dhe kërkesën për masa më të forta ndaj shkelësve të ligjit.













