Këtë të mërkurë, më 6 maj, zhvillohet ceremonia mortore në nderim të ish-kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 89-vjeçare.
Sipas njoftimit zyrtar, arkëmorti do të mbërrijë në orën 09:00 në sheshin “Skënderbej”, nga ku më pas do të vendoset në hollin e Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë.
Homazhet në nder të figurës së njohur publike do të fillojnë në orën 09:30, ndërsa në orën 12:00 do të zhvillohen homazhet shtetërore.
Në orën 12:30 është parashikuar ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit, e cila do të zhvillohet me protokoll shtetëror.
Më pas, në orën 13:00, kortezhi funeral do të niset nga Teatri i Operas dhe Baletit drejt varrezave të Sharrës, ku do të bëhet edhe varrimi i tij.
Gazetarja e Klan News Greta Bullari raporton se në ceremoninë e sotme pritet të mbahen dy fjalime. I pari fjalim do të mbahet nga i biri i ish-kreut të Kuvendit, Arben Pëllumbi dhe një fjalë tjetër nga një prej miqve më të ngushtë të tij, Namik Dokle.
Kush ishte Servet Pëllumbi
I njohur si “profesori” në qarqet socialiste, ai ishte një nga figurat më të njohura të politikës dhe mendimit intelektual në Shqipërinë e tranzicionit.
Ai ishte një nga zërat që shpesh kërkonte reformim dhe reflektim brenda së majtës shqiptare.
Lindi në vitin 1936 në Korçë. Ai ndoqi studimet e larta në Universitetin e Shën Petersburgut, ku mori titullin Doktor i Shkencave në letërsi.
U formua si studiues i filozofisë dhe për shumë vite punoi në universitete dhe institucione shkencore. Gjatë periudhës së regjimit të Enver Hoxhës, ishte pjesë e strukturave akademike dhe ideologjike të kohës.
Pas viteve ’90, ai u zgjodh deputet në parlamentin e parë pluralist dhe mori pjesë në transformimin e PPSH në Partinë Socialiste të Shqipërisë.
Si nënkryetar i Partisë Socialiste në opozitë, ai udhëhoqi disa beteja, ndër to edhe kërkesa për lirimin e Fatos Nanos nga burgu.
Njihet si një ndër deputetët më jetëgjatë në radhët e socialistëve, ndërsa këtë angazhim në vitet 2002-2005 e përmbylli duke drejtuar Kuvendin e Shqipërisë.
Pas largimit të socialistëve dhe Fatos Nanos nga pushteti, ai u tërhoq gradualisht nga politika aktive dhe u angazhua në shkrime, analiza dhe reflektime mbi demokracinë dhe tranzicionin shqiptar.
Ai u dekorua me titullin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga ish-presidenti Alfred Moisiu.













