Kryebashkiakja Emiriana Sako reagon për aksidentin e rëndë: Si nënë ndaj dhimbjen e jashtëzakonshme!

Kryebashkiakja e Durrës, Emiriana Sako, ka reaguar me një mesazh ngushëllimi pas aksidentit tragjik që tronditi qytetin bregdetar, ku humbën jetën dy fëmijë dhe një i tretë ndodhet në gjendje të rëndë në spital.

Në reagimin e saj publik, Sako thekson se kjo është një ditë zie për gjithë qytetin, ndërsa shprehet se, si nënë, ndan dhimbjen e thellë me familjarët e viktimave.

“Si nënë, ndaj dhimbjen e jashtëzakonshme me familjarët e fëmijëve dhe u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Lutemi për djalin që ndodhet në spital, që të rikuperohet dhe të kthehet pranë familjes së tij,” – shprehet ajo.

Ajo e cilëson ngjarjen si një thirrje për reflektim të thellë, jo vetëm për institucionet, por edhe për të gjithë shoqërinë, duke theksuar përgjegjësinë qytetare dhe prindërore.

Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Spitallës, ku një automjet tip “Benz ML”, i drejtuar nga Nikoll Radaçi, dyshohet se ka përplasur tre fëmijë që ndodheshin në trotuar pranë banesës së tyre. Dy prej tyre humbën jetën në vendngjarje, ndërsa i treti u transportua në Spitali i Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë.

Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit dyshohet të ketë qenë nën efektin e alkoolit në momentin e aksidentit, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.