Një 27-vjeçar është arrestuar nga policia pasi dyshohet për shitje të lëndës narkotike kanabis në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas njoftimit zyrtar, kontrollet janë kryer nga Forca e Posaçme Shqiponja në bashkëpunim me specialistët për hetimin e narkotikëve, si pjesë e operacioneve për goditjen e shpërndarjes së drogës, sidomos pranë shkollave dhe lokaleve.
Gjatë ndërhyrjes, policia ka ndaluar 27-vjeçarin A. H., banues në Tiranë, teksa iu gjet një sasi kanabisi gati për shpërndarje.
Në të njëjtën kohë, është proceduar edhe një tjetër person, R. L., i cili kishte blerë një sasi të vogël të lëndës narkotike nga ai.
Droga e sekuestruar është marrë si provë materiale, ndërsa të dy rastet po hetohen nga prokuroria për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të kontrolleve intensive me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të shpërndarjes së lëndëve narkotike në Tiranë, kryesisht në afërsi të shkollave, lokaleve dhe ambienteve të ndryshme, shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve, goditën një tjetër rast të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i veprimeve operacionale, u kap dhe u vu në pranga shtetasi A. H. (H), 27 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu, u procedua penalisht shtetasi R. L., banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve 27-vjeçarit u gjet një sasi lënde narkotike cannabis. Ndërsa shtetasit R. L. iu gjet një sasi e vogël e kësaj lënde, të cilën e kishte blerë nga shtetasi A. H. (H).
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.













