Tre finale për titullin, Ivan Gvozdenoviç kërkon vetëm fitore

AF Elbasani hyn në fazën vendimtare të kampionatit me objektivin e qartë për të ruajtur kreun e renditjes. Verdheblutë e siguruan vendin e parë javën e kaluar pas fitores ndaj Vllaznia, por diferenca prej vetëm dy pikësh e mban garën plotësisht të hapur në tre javët e fundit.

Sfida e radhës ndaj KF Vora konsiderohet një provë delikate. Edhe pse në letër duket e përballueshme, ndeshja pritet të jetë e fortë, duke parë se kundërshtarët luftojnë për mbijetesë dhe çdo pikë ka peshë të madhe në këtë fazë të sezonit.

Në prag të kësaj përballjeje, trajneri Ivan Gvozdenović pranoi vështirësitë që lidhen me mungesat në skuadër, por theksoi se beson te grupi dhe te karakteri i lojtarëve. Tekniku kërkoi përqendrim maksimal dhe theksoi se në këtë moment të kampionatit, çdo ndeshje duhet trajtuar si finale.

Me tre sfida që do të vendosin gjithçka, Elbasani e ka fatin në dorën e vet. Për të ruajtur vendin e parë deri në fund, verdheblutë duhet të shmangin çdo hap fals dhe të synojnë vetëm fitoret, në një garë që pritet të vendoset në minutat e fundit të sezonit.