Tiranë, 30 prill 2026 – Bordi i Transparencës ka vendosur rritjen e çmimeve të karburanteve në tregun vendas, vendim që hyn në fuqi sot në orën 13:00.
Sipas njoftimit zyrtar, çmimi i naftës (gazoil) për konsumatorët do të shitet me pakicë deri në 208 lekë për litër, nga 203 lekë që ishte një ditë më parë, duke shënuar një rritje prej 5 lekësh.
Ndërkohë, çmimi i benzinës është përcaktuar në maksimum 185 lekë për litër në shitjen me pakicë.
Në nivel shumice, gazoili do të tregtohet jo më shumë se 196 lekë për litër, ndërsa benzina deri në 173 lekë për litër.
Sipas Bordit të Transparencës, këto çmime do të jenë në fuqi deri në vendimin e ardhshëm, ku pritet të reflektohen ndryshimet e mëtejshme në tregun e karburanteve.













