Detaje të reja/ Policia pyet 3 persona për vrasjen e 44-vjeçarit shqiptar

Të tjera detaje janë bërë publike nga mediat greke në lidhje me vrasjen e 44-vjeçarit shqiptar, i cili u ekzekutua me armë zjarri brenda një stalle. Autorët e krimit e kanë qëlluar viktimën në kokë, ndërsa motivet e vrasjes mbeten ende të paqarta.

Krimi u zbulua pasditen e së martës (28 prill), kur trupi i pajetë i 44-vjeçarit u gjet në një stallë në zonën Burna. Sipas informacioneve paraprake, viktima kishte marrë një plagë në kokë, e shkaktuar dyshohet nga një armë gjahu.

Arma e krimit nuk është gjetur, ndërsa autori apo autorët janë ende të paidentifikuar.

Viktima u zbulua nga një çift, një 47-vjeçar shqiptar dhe një 50-vjeçare greke, vajza e pronarit 90-vjeçar të stallës, të cilët dyshohet se e kishin strehuar përkohësisht. Ata ishin gjithashtu personat që njoftuan policinë.

Tre persona që mendohet se kishin njohje me viktimën po merren në pyetje nga autoritetet, në përpjekje për të hedhur dritë mbi rrethanat e ngjarjes.

Në vendngjarje mbërritën menjëherë forca të shumta policie, të cilat kanë izoluar zonën dhe po mbledhin prova materiale, si dhe pamje filmike nga bizneset përreth për të rindërtuar lëvizjet e fundit të viktimës.

Ekspertiza mjeko-ligjore pritet të japë detaje të mëtejshme që mund të ndihmojnë hetimet dhe identifikimin e autorëve.

Sipas burimeve, 44-vjeçari nuk ishte banor i zonës së Kalamatës, por jetonte prej kohësh në rajonin e Korinthit. Ai kishte qenë më herët në vëmendjen e autoriteteve për çështje të drogës, pasi ishte arrestuar për kultivim të bimëve narkotike.