LEZHË, 27 Prill 2026 – Policia ka identifikuar tre autorët e dyshuar të vrasjes së çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, ngjarje e ndodhur një ditë më parë në Lezhë.
Të shpallur në kërkim janë shtetasit Adriano Mhillaj, 22 vjeç, Florin Mhillaj, 36 vjeç dhe Renato Mhillaj, 23 vjeç.
Sipas të dhënave hetimore, Florin Mhillaj është djali i Genc Mhillajt, ndërsa dy të tjerët janë nipat e tij. Genc Mhillaj është vrarë në vitin 2016, çka dyshohet se ka lidhje me motivin e ngjarjes.
Drejtori i Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, deklaroi se nga veprimet hetimore paraprake dyshohet se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje, ndërsa operacioni për kapjen e autorëve vijon në terren.
Sipas tij, janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të lidhura me të dyshuarit, por pa rezultat deri tani. Strukturat policore vijojnë kërkimet për lokalizimin dhe arrestimin e tyre.
Hetimet kanë sjellë në vëmendje edhe një konflikt të mëparshëm mes familjeve, ku një nga viktimat e atentatit të djeshëm, Kreshnik Mujeci, rezulton të ketë qenë i arrestuar në të shkuarën për një ngjarje të lidhur me vrasjen e Genc Mhillajt në vitin 2016.
Policia vijon punën për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave.













