Detaje të reja janë zbardhur nga atentati me armë në Lezhë, teksa bëhet me dije se çifti i bashkëshortëve Mujeci që mbetën viktima, ishin prindër të katër fëmijëve të mitur.
Të dy ata merreshin me bujqësi dhe blegtori në zonë.
Atentati ndodhi këtë të diel në fshatin Balldre të Lezhës. Kreshnik dhe Gentiana Mujeci u vranë në mjetin tip “Audi” me të cilin udhëtonin.
Për këtë ngjarje ka folur dhe Arben Nasufi, kreu i Policisë Lezhë ku theksoi se makina u godit me breshëri plumbash ndërsa ishte në lëvizje.
Kreu i policisë tha se ende nuk ka të dhëna zyrtare për motivet e ngjarjes.
“Lajmi është shumë i rëndë. Nën drejtimin e prokurorit është ngritur grupi hetimor, janë marrë të gjitha masat, po kryhen të gjitha veprimet operative policore në terren edhe në bashkëpunim me qarqet e tjera. Po punojmë intensivisht, po fiksojmë çdo provë në vendngjarje me qëllim hetimin e plotë, zbardhjen e gjithë dinamikës dhe zbulimin e autorëve dhe vënien para përgjegjësisë të tyre“, u shpreh Arben Nasufi, Drejtor i Drejtorisë së Policisë Vendore Lezhë.
Atentati me armë zjarri që ndodhi sot rreth orës 14:50, ka sjellë në Lezhë me urgjencë nga Tirana, specialistët e sektorit të Krimeve të Rënda në Policinë e Shtetit të cilët po punojnë për zbardhjen e ngjarjes.
Ata sapo kishin dalë nga një lokal në autostradën Lezhë-Shkodër dhe kanë qenë rrugës për në banesën e tyre e cila ndodhet rreth 30 minuta larg prej vendit të ngjarjes.
Mësohet se viktima, në tetor të vitit 2017 u arrestua si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Genci Mhillaj në Shkodër.
Mujeci, 30 vjeç në atë kohë, u akuzua për veprën penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim.













