Gledis Nano fiton betejën gjyqësore ndaj shtetit, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Qeverisë. Merr kesh 100 mijë Euro

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ka fituar përballjen ligjore me institucionet shtetërore, pasi Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Këshillit të Ministrave dhe Ministrisë së Brendshme.

Vendimi i Gjykatës së Lartë, i datës 17 shkurt 2026, lë në fuqi vendimet e mëparshme të gjykatave më të ulëta, të cilat kishin pranuar padinë e Nanos për shkarkimin e tij nga detyra.

Sipas vendimit, Gjykata e Lartë ka vendosur “mospranimin e rekursit” të palës së paditur, duke i dhënë kështu formë të prerë çështjes në favor të ish-drejtorit të Policisë së Shtetit.

Me këtë vendim, shteti detyrohet t’i paguajë Gledis Nanos rreth 100 mijë euro, që përfaqësojnë 60 paga mujore për një periudhë 5-vjeçare, në përputhje me mandatin e parashikuar ligjërisht, i cili iu ndërpre pas shkarkimit më 31 gusht 2022 me argumentin e mosrealizimit të objektivave.

Pas largimit nga detyra, Nano iu drejtua Gjykatës Administrative, e cila në shkallën e parë i dha të drejtë. Vendimi u ankimua nga Këshilli i Ministrave dhe Ministria e Brendshme, por edhe Apeli Administrativ e la në fuqi vendimin fillestar, duke e konsideruar shkarkimin të paligjshëm.

Me vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë, çështja konsiderohet e mbyllur në mënyrë përfundimtare në favor të ish-kreut të Policisë së Shtetit.