Humb jetën i burgosuri

Një tjetër person ka humbur jetën në burgjet shqiptare, duke çuar në gjashtë numrin e të dënuarve dhe paraburgosurve që kanë vdekur në qeli nga vetëm në muajt e parë të këtij viti. Tragjedia e radhës ka ndodhur në Burgun e Fierit, ku një 69 vjeçar ka ndërruar jetë pas problemeve shëndetësore që ka shfaqur në qeli.

Autoritetet njoftojnë se viktima është Luan Bundo, i vitlindjes 1957 dhe i dënuar me 10 vjet burg për kalim të paligjshëm të kufirit dhe mashtrim.

Sipas të dhënave të siguruara nga burgu dhe Spitali i Fierit, 69 vjeçari është ndjerë keq mëngjesin e së mërkurës. Ai është shoqëruar me shpejtësi drejt spitalit, ku pak pas mbërritjes mjekët kanë konfirmuar vdekjen e tij.

Viktima vuante nga disa sëmundje, përfshirë diabetin dhe probleme me zemrën.

Në harkun kohor të tre muajve, mes shkaqeve shëndetësore dhe vetëvrasjeve janë gjashtë të burgosur dhe paraburgosur që kanë humbur jetën në sistemin penitenciar shqiptar.

Nga 2020 deri më tani janë mbi 140 të burgosur që kanë humbur jetën në izolim. Shifrat tregojnë se autoritetet kanë dështuar që të reflektojnë rekomandimet e institucioneve ndërkombëtare dhe vendimet e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, që në 2019 gjobiti shtetin shqiptar pikërisht për dështimin e ofrimit të mjekimit për një të dënuar.