Vrau me thikë vajzën e tij, gjykata e Bejrutit refuzon ekstradimin e Fadi Alwan në Shqipëri

Drejtësia Libaneze, ka refuzuar të ekstradojë në Shqipëri 49-vjeçarin palestinez, Fadi Awan, i cili në 25 shkurt 2025 ekzekutoi me thikë vajzën e tij, Rayyan Alwan. Përgjigjia ka mbëritur në prokurorinë e Tiranës, e cila është prokuroria që po ndjek rastin hetimor të vrasjes së kryer në kryeqytetin Shqiptar.

Siç mëson gazetari Elton Qyno, Gjykata e Bejrutit në Liban, ka rrëzuar kërkesën e autoritetit të drejtësisë Shqiptare të dërguar përmes letërporosisë në Liban, ku kërkohej ekstradimi në Shqipëri i Fadi Alwan.

Pas refuzimit të ekstradimit, pritet që në ditët në vijim çështja penale ndaj Fadi Alwan, të dërgohet për gjykim në mungesë në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për akuzën e vrasjes për shkak të marëdhënies familjare.

Ngjarja e rëndë u rregjistrua në muajin Shkurt 2025, ku në një apartament të marë me qëra në rrugën “Gjon Muzaka”, babai ka vrarë me thikë vajzën e tij.

Pas kryerjes së krimit ai është larguar nga Shqipëria përmes aeroportit të Rinasit në drejtim të Belgjikës dhe prej këtej ka udhëtuar në Liban, ku dhe u arrestua.

Në vijim të hetimeve të thelluara të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, dhe si rezultat i komunikimit të vazhdueshëm me strukturat homologe në Liban, nëpërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Beirutit, u kap në Liban, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasi palestinez, Fadi Alwan, 49 vjeç.

Bashkëpunimi ndërmjet strukturave të Interpolit, për të finalizuar procedurën për ekstradimin e këtij shtetasi, në Shqipëri, kanë vijuar më tej, por gjykata e Bejrutit, refuzoi ekstradimin e tij në Shqipëri.