Gramsh, 11 prill 2026 – Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Shtegtari”, duke arrestuar një 53-vjeçar nga Shkodra, i dyshuar për disa vjedhje në qarkun e Elbasanit.
Sipas njoftimit zyrtar, shërbimet e Komisariatit të Policisë në Gramsh, në bashkëpunim me strukturat e Policisë në Shkodër, bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit S. M., 53 vjeç, banues në Shkodër, me precedent penal për vjedhje.
Ky shtetas dyshohet se më 9 prill 2026, rreth orës 11:55, ka vjedhur një shumë prej 125 mijë lekësh të rinj në një dyqan në qytetin e Gramsh.
Nga veprimet hetimore rezulton se ai dyshohet të jetë autor edhe i një vjedhjeje tjetër të ndodhur më 21 dhjetor 2025, ku i është marrë portofoli me para një 61-vjeçareje brenda një marketi në Prrenjas, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Librazhd.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale një automjet tip “Benz”, i cili dyshohet se është përdorur nga autori gjatë kryerjes së vjedhjeve.
Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe për identifikimin e rasteve të tjera të mundshme të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Elbasan për veprime të mëtejshme.













