Bordi i Transparencës cakton çmimet e reja të karburanteve, hyjnë në fuqi sot në orën 16:00

Bordi i Transparencës ka vendosur në mbledhjen e datës 11 prill 2026 çmimet tavan të reja për shitjen e karburanteve në tregun vendas.

Sipas vendimit, çmimi i shitjes me pakicë i gazoilit të standardit SSH EN 590 është caktuar jo më shumë se 209 lekë për litër, ndërsa çmimi i shitjes me shumicë jo më shumë se 197 lekë për litër.

Ndërkohë, benzina është përcaktuar me një çmim maksimal prej 175 lekë për litër në shitjen me pakicë dhe 163 lekë për litër në shitjen me shumicë.

Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, në orën 16:00, dhe do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e radhës së bordit, ku pritet të rishikohen sipas lëvizjeve të tregut.

Autoritetet kanë paralajmëruar operatorët e tregut për zbatim të detyrueshëm të vendimit, duke theksuar se në rast shkeljesh do të merren masa administrative, përfshirë pezullimin e aktivitetit.

Në njoftim theksohet gjithashtu angazhimi i institucioneve përgjegjëse, përfshirë Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ministria e Financave dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.

Sqarimi i bordit referon gjithashtu Aktin Normativ nr. 1, datë 3.4.2026, sipas të cilit ndryshon niveli i akcizës në varësi të çmimeve të karburanteve në treg, ndërsa aktualisht çmimet e vendosura mbeten nën pragun e përcaktuar për ndryshimin e saj.