Tragjike në Romë/ I bëri alergji qumështi, 15-vjeçarja humb jetën pas darkës me miqtë

Një vajzë 15-vjeçare, humbi jetën gjatë natës në një spital në Romë, pas një sëmundjeje të papritur gjatë një darke me miqtë e ekipit të saj të basketbollit.

Zyra e prokurorit ka hapur një çështje për vrasje të paqëllimshme, ndërsa hetuesit po shqyrtojnë mundësinë e një alergjie ushqimore. Shkaqe të tjera të sëmundjes nuk janë përjashtuar. Një autopsi, e urdhëruar menjëherë, do të vendosë me saktësi rrethanat e vdekjes së vajzës.

Sofia Di Vico, e cila ishte nga provinca e Casertës, ndodhej në Romë për të marrë pjesë në turneun “Mare di Roma Trophy in Pink” me ekipin e saj, Union Basket Maddaloni. Alarmi për gjendjen e saj u dha të enjten në mbrëmje, më 2 prill, në një kamping në pjesën jugore të kryeqytetit.

Raportohet se vajza ishte alergjike ndaj proteinave të qumështit dhe ndjeu shqetësime gjatë darkës. Pavarësisht përdorimit të ilaçeve që kishte me vete, gjendja e saj u përkeqësua gjatë transportit në spital, ku vdiq menjëherë pas mbërritjes.

Turneu, në të cilin Sofia ishte planifikuar të merrte pjesë, është anuluar pas kësaj tragjedie.