I morën jetën 63-vjeçarit në Vlorë, identifikohen të rinjtë. Shpallen në kërkim autori dhe 2 shokët e tij

Policia e Vlorës njofton se ka shpallur në kërkim 3 persona të përfshirë në konfliktin e djeshëm ku gjeti vdekjen një 63-vjeçar.

Sipas policisë, në kërkim janë shpallur shtetasit Anxhelo Ceci31 vjeç, Xhafer Ngucaj 34 vjeç, banues në Vlorë, dhe Eni Hysaj, 23 vjeç, banues në Gjorëm.

“Nga veprimet e para hetimore dyshohet se këta shtetas, më datë 03.04.2026, rreth orës 15:00, në rrugën “Gjergj Arianiti”, lagjja “Pavarësia 3”, Vlorë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me grushte shtetasin B. Aliaj, 24 vjeç, dhe babain e tij, shtetasin Ismail Aliaj, 63 vjeç, banues në Vlorë. Si pasojë e goditjeve, shtetasi Ismail Aliaj ka humbur jetën.

Po punohet intensivisht për kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas burimeve policore, ngjarja ka lidhje me një konflikt të mëparshëm mes djalit të viktimës dhe autorit të sulmit.

Babë e bir kanë shkuar në rrugën Gjergj Araniti për të sqaruar situatën, duke u përballur me autorin, i cili në ato momente ishte në makinë me familjen e tij, pasi sapo kishte nxjerrë djalin nga spitali.

Fillimisht debati ka qenë verbal, por më pas ka degjeneruar në fyerje dhe sharje. Situata u tensionua edhe më shumë kur dy shokë të autorit u përfshinë në konflikt. Pas përleshjes fizike me grushte dhe shkelma, Ismail Aliaj humbi jetën në vend.