TIRANË- Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka njoftuar këtë të shtunë se ka bllokuar rreth 4 ton produkte bimore në magazinën e mjekut popullor Ylli Merja, në Shkozë të Tiranës.
Sipas njoftimit të AKU, gjatë kontrollit në subjektin “Merja”, u konstatuan 3984 kg bimë të thata të miksuara, të ambalazhuara në thasë plastikë, por pa etiketa, pa afat përdorimi dhe pa informacion mbi origjinën apo përbërjen.
Sipas njoftimit, AKU vendosi masën e bllokimit të produktit, si dhe gjobë 200 mijë lekë për shkelje të kërkesave të gjurmueshmërisë. Një tjetër gjobë prej 100 mijë lekësh u vendos për mungesë të sistemit të vetkontrollit.
“Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, referuar një denoncimi të ardhur, ka kryer kontroll në subjektin “Merja”, me adresë në lagjen Shkozë, Tiranë, ku nga inspektimi i kryer në ambientet e magazinës së subjektit, u konstatuan një sasi prej 3984 kg produkte të miksuara (miksime bimësh të thata) të ambalazhuara në thasë plastikë, por të paetiketuara, pa informacion mbi afatin e përdorimit, origjinën apo emërtimin e përbërjes.
Mbi këto gjetje trupa inspektuese mori masën e menjëhershme të bllokimit të kësaj sasie në ambientet e magazinës si dhe për veprime, në kundërshtim me kërkesat e gjurmueshmërisë, ndaj subjektit u mor masa administrative “Gjobë” në vlerën 200,000 (dyqind mijë) lekë. Gjithashtu nga verifikimi i dokumentacionit ka rezultuar se mungonte implementimi i sistemit te vetkontrollit (skedat e monitorimit gjatë procesit të miksimit) veprime në kundërshtim me parashikimet ligjore, për këtë mangësi u mor masa administrative “Gjobë” në vlerën 100,000 (njëqind mijë) lekë”,- thuhet në njoftimin e AKU-së












