Kryeministri Edi Rama kërkoi që bashkitë të hapin zyra të posaçme për ndihmë juridike në shërbim të kadastrës, me qëllim lehtësimin e procesit të legalizimeve për qytetarët.
Gjatë një komunikimi për këtë çështje, ai u shpreh se është e nevojshme një bashkëpunim më i mirë mes kadastrës dhe pushtetit vendor për të ndërtuar plane të qarta prioritare.
Sipas tij, duhet të krijohet një sistem më i drejtë, ku aplikimet e bëra më herët të marrin përgjigje të parat, si dhe të përcaktohen zonat që do të trajtohen me përparësi.
Rama u ndal edhe te ankesat e shumta që bëhen për kadastrën, duke sqaruar se një pjesë e tyre lidhen me aplikime të paplota ose të bëra gabim.
Për këtë arsye, hapja e zyrave të ndihmës juridike pranë bashkive do t’i ndihmojë qytetarët të kuptojnë më mirë procedurat dhe të aplikojnë siç duhet.
Ai shtoi se kjo nismë pritet të ndiqet nga Ministria e Pushtetit Vendor dhe synon të përmirësojë shërbimin dhe të shmangë vonesat në procesin e legalizimeve.
FJALA E KRYEMINISTRIT EDI RAMA:
“Kadastra, në bashkëpunim me çdo bashki, por këtu duhet angazhimi juaj, të ndërtojë planet prioritare të legalizimit. Në mënyrë që të legalizojmë procesin dhe ta bëjmë më të drejtë e transparent për aplikuesit duke vendosur një sistem ku ata që kanë aplikuar më parë janë të parët për të marrë përgjigje, po ashtu përcaktimi i zonave prioritare. Të kemi një punë të përbashkët dhe të koordinuar më të mirë. Duhet patjetër që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike për kadastrën. Ka shumë ankesa për kadastrën, por shumë prej tyre vijnë nga moskryerja e aplikimit në mënyrë të rregullt ligjore. Nuk ka asnjë problem që bashkitë të hapin një zyrë të ndihmës juridike enkas për shërbimin e kadastrës dhe legalizimeve. Është diçka që do të lehtësojë maksimalisht qytetarët në mënyrën e kuptimit sesi bëhet një legalizim. Këtë do ta ndjekë ministri i Pushtetit Vendor”.













