Tiranë – Procesi për përzgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit hyn sot në fazën finale. Në orën 09:30, komisioni i vlerësimit në Ministrinë e Brendshme do të zhvillojë intervistat me kandidatët e mbetur në garë, pas shqyrtimit të dokumentacionit.
Komisioni përbëhet nga Silva Caka, Kledia Ngjela dhe Eduart Merkaj.
Nga 16 aplikantë fillestarë, dy kandidate, Ejona Gurbardhi dhe Suela Sulkaj, janë skualifikuar për mosplotësim të kritereve ligjore. Pas përfundimit të intervistave, kandidatët do të renditen sipas pikëve të grumbulluara, ndërsa vendimi përfundimtar i takon ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari.
Ministri pritet që, brenda 48 orëve, t’i propozojë Këshillit të Ministrave emrin e përzgjedhur. Megjithatë, përzgjedhja nuk është domosdoshmërisht e kufizuar te kandidati me pikët më të larta.
Gara ka tërhequr interes nga drejtues të strukturave vendore të policisë, si dhe nga ekspertë të fushës së sigurisë. Procesi synon të plotësojë vendin vakant të krijuar pas dorëheqjes së Ilir Prodës. Aktualisht, Policia e Shtetit drejtohet në mënyrë të përkohshme nga Sokol Bizhga.
Lista e kandidatëve:
Afrim Tafa
Alfred Çepe
Arjanit Arapi
Elidon Çela
Gentian Berberi
Gentjan Shehaj
Idajet Faskaj
Lorenc Panganika
Neritan Nallbati
Pëllumb Seferi
Rebani Jaupi
Saimir Boshnjaku
Skënder Hita
Tonin Vocaj













