Vijojnë hetimet në kuadër të operacionit policor të koduar “Kurtaj”, i zhvilluar në fshatin Kurtaj, Njësia Administrative Gjocaj, në Bashkinë Peqin, nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.
Sipas Policisë së Shtetit, në vijim të verifikimeve në një ambient nëntokësor të përshtatur për kultivim, janë konstatuar 1105 vazo me fidanë dhe bimë të dyshuara kanabis, si dhe pajisje të shumta elektrike të përdorura për këtë veprimtari të paligjshme. Një pjesë e tyre është asgjësuar në vend me djegie.
Në kuadër të veprimeve procedurale është arrestuar në flagrancë shtetasi E. D., 23 vjeç, banues në Gjocaj, me detyrë faturist i energjisë elektrike, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre”.
Ndërkohë, janë shpallur në kërkim katër shtetas të tjerë, të dyshuar për përfshirje në aktivitetin kriminal:
R. H., 30 vjeç, i dyshuar për “Kultivim të bimëve narkotike”, pronar i ambienteve ku u gjetën bimët;
E. H., 24 vjeç, banues në Kurtaj, i dyshuar për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhim, mbajtje, blerje apo shitje pa leje e armëve të ftohta”;
E. M., 36 vjeç, përgjegjës i OSHEE-së, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”;
D. E., 34 vjeç, gjithashtu përgjegjës i OSHEE-së, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”.
Policia bën me dije se një nga personat e shpallur më parë në kërkim, shtetasi B. H., është paraqitur vetë pranë autoriteteve. Pas verifikimeve hetimore, është konstatuar se ai nuk rezulton i implikuar në veprimtarinë kriminale dhe është lënë i lirë.
Nga hetimet paraprake rezulton se ambientet ku u zbulua aktiviteti dyshohet të jenë në pronësi dhe administrim të shtetasit R. H., ndërsa vijon puna për identifikimin e plotë të rrjetit të përfshirë.
Nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit, hetimet po vijojnë me intensitet të lartë për dokumentimin e plotë të rastit dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të të gjithë personave të dyshuar.













