Humbi jetën në aksident, IEVP Korçë mesazh ngushëllimi për efektivin

KORÇË – Një punonjës i sistemit penitenciar ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti rrugor.

Viktima është 45-vjeçari Krenar Çekiçi, i cili ndërroi jetë një ditë më parë në spital, si pasojë e plagëve të marra nga përplasja e dy automjeteve. Ai ishte punonjës i Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Drenovë.

Aksidenti i rëndë ndodhi në aksin rrugor Korçë–Maliq, ku dy mjete u përplasën me njëra-tjetrën, duke i shkaktuar dëmtime të rënda 45-vjeçarit, i cili nuk arriti t’u mbijetojë plagëve.

Përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale, IEVP Korçë ka shprehur dhimbjen për ndarjen nga jeta të punonjësit të tyre, duke i përcjellë ngushëllimet familjes, të afërmve dhe miqve të tij.

“IEVP Korçë shpreh dhimbjen e thellë për ndarjen nga jeta të punonjësit tonë, Krenar Çekiçi, i cili humbi jetën tragjikisht si pasojë e një aksidenti fatal. Në këto momente të vështira, i shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të tij. Kujtimi i tij do të mbetet gjithmonë i respektuar në institucionin tonë. U prehtë në paqe”, thuhet në reagim.