27 vatra zjarri në vend, 8 prej tyre ende aktive

Screenshot

Ministria e Mbrojtjes thotë se 27 vatra zjarri janë raportuar në vend, 17 prej të cilave janë shuar plotësisht, 2 janë nën mbikëqyrje dhe 8 vijojnë të jenë aktive.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 265 forca operacionale dhe 38 automjete zjarrfikëse, ndërsa në mbështetje të tyre janë vendosur 170 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse të Forcave të Armatosura. Helikopterët e Forcës Ajrore kanë ndërhyrë në 4 operacione.

Vëmendja kryesore e strukturave të emergjencave është përqendruar në qarqet Dibër, Lezhë, Tiranë dhe Shkodër.

Në qarkun Dibër, operacionet vijojnë në zonat Vajkal, Lundre–Madhesh dhe Mallunxë–Lis, me angazhim të forcave tokësore dhe mbështetje nga ajri në zonat e Matit. Sipas autoriteteve, në këto vatra nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Edhe në Dajt, pas riaktivizimit të një vatre zjarri, janë angazhuar rreth 60 forca, ndërsa situata nuk paraqet rrezik për banesat.

Situata më problematike raportohet në qarkun e Lezhës, veçanërisht në aksin Kalivaç–Zimaj–Kashnjet. Për shkak të përhapjes së zjarrit, është bërë evakuimi i banorëve, ndërsa operacioni është përforcuar me dy helikopterë të Forcës Ajrore, 50 forca ushtarake dhe 3 automjete zjarrfikëse, krahas strukturave vendore.

Në Mnelë të Vogël, Vau i Dejës, intensiteti i zjarrit është ulur dhe rreziku për zonat e banuara është shmangur. Forcat në terren vijojnë punën për neutralizimin dhe shuarjen përfundimtare të vatrës.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë vendin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.