BallinaEkonomiPas naftës dhe vajit të lulediellit, prodhuesit vendas paralajmërojnë shtrenjtim të çmimeve...

Pas naftës dhe vajit të lulediellit, prodhuesit vendas paralajmërojnë shtrenjtim të çmimeve për detergjentet

Pas rritjes së çmimeve të karburanteve me 22% dhe të vajit ushqimor deri në 8%, prodhuesit paralajmërojnë se shtrenjtimi pritet të prekë edhe preparatet larëse dhe detergjentët.

Shumë pluhur larës prodhohen në vend, por lënda e parë importohet nga jashtë. Sapunët larës vijnë kryesisht nga importi. Prodhuesit vendas pohojnë se furnitorët e huaj i kanë njoftuar për rritje të çmimeve të lëndëve të para nga 15 deri në 20%, krahasuar me periudhën para nisjes së luftës.

Rritja e çmimeve të lëndëve djegëse ka ndikuar direkt në shtimin e kostove të lëndëve të para në fabrikat jashtë vendit. Kosto shtesë prodhuesit llogarisin edhe tarifat e shtrenjtuara për transportin

Duke llogaritur kohën e ardhjes së furnizimeve të reja, që varion nga 30 deri në 45 ditë, prodhuesit e detergjenteve parashikojnë se çmimet e reja në treg do të reflektohen në nisje të muajit maj.

I pashmangshëm shtrenjtimi i çmimeve pritet të jetë edhe prej importuesve të preparateve të gatshme që importohen nga jashtë, ku sipas të dhënave të tregut mësohet se ka pasur shtrenjtim të çmimeve nga furnitorët e huaj.

Në mars të vitit 2022, me fillimin e luftës në Ukrainë, çmimet e preparateve larëse të prodhuara në tregun vendas u rritën 10 deri 20%. Shtrenjtimi u ndikua nga lënda e parë që u ble më shtrenjtë dhe rritja e tarifave të transportit. Në atë periudhë, rritja e çmimeve dhe ndryshimet demografike ndikuan në pakësim të kërkesës sipas prodhuesve.

Sipas të dhënave të INSTAT për vitin 2025 u importua një sasi prej 68,3 mln kg për grupin “Sapuni, preparatet parëse, lubrifikues, qirinjtë”. Krahasuar me 2024 importet e grupit u rritën 2%.

Për muajt janar-shkurt 2026 importet e grupit shënuan rënie 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhëse.

Prodhuesit vendas të detergjentëve kanë ngritur shpesh shqetësimin se rënia e kërkesës së konsumatorit po ndikohet nga ndryshimet demografike dhe emigracioni, për rrjedhojë prej tyre ulet sasia e importeve të lëndëve të para prodhuese të detergjentëve.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments