Një 16-vjeçar i cili rrezikoi të mbytej, është shpëtuar nga shërbimet e DVKM Durrës.
Policia njofton se i mituri që kishte rrëshqitur nga gurët e skalierës. Për shkak të arsyeve shëndetësore, ai nuk mund të notonte. Pasi e nxorrën në breg me mjet lundrues, ai u transportua për në spital, ku pas ndihmës mjekësore, ndodhet në gjendje të stabilizuar.
“Shërbimet e DVKM Durrës, me mjet lundrues, i shkojnë në ndihmë, një të mituri që rrezikoi të mbytej në det.
Menjëherë pas njoftimit se në hapësirën e quajtur “Vaska e Marinës”, Shëngjin, një i mitur që kishte rrëshqitur nga gurët e skalierës, rrezikonte të mbytej, sepse për shkak të problemeve shëndetësore, e kishte të vështirë notimin, shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Durrës u nisën drejt zonës së sinjalizuar.
16-vjeçari u lokalizua dhe mori ndihmë të menjëhershme nga shërbimet e Policisë.
Gjithashtu, i mituri u nxorr me mjet lundrues, në breg, dhe u transportua për ndihmë të specializuar mjekësore, në spitalin rajonal të Lezhës, në gjendje të mirë shëndetësore.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të kontaktojnë Policinë, në çdo rast nevoje, dhe garanton se ndihma do të jetë e menjehershme dhe profesionale”, njofton policia.













