Një zjarr ka përfshirë mesditën e kësaj të diele zonën e Kodër Krastës, në periferi të Elbasanit, duke krijuar rrezik për përhapjen e flakëve drejt banesave.
Sipas Policisë, vatra e zjarrit është konstatuar pas Kodrës së Krastës, në afërsi të zonave të banuara. Flakët rrezikuan drejtpërdrejt dy banesa, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e menjëhershme të shërbimit zjarrfikës.
Në terren u angazhuan tre mjete zjarrfikëse dhe 12 zjarrfikës, të cilët punuan për izolimin e vatrës dhe shuarjen e flakëve. Operacioni zgjati rreth dy orë, ndërsa ndërhyrja në kohë bëri të mundur frenimin e zjarrit dhe shmangien e përhapjes së tij drejt banesave.
Shërbimet zjarrfikëse u përqendruan në neutralizimin e vatrave dhe krijimin e një perimetri sigurie, duke parandaluar përparimin e flakëve drejt objekteve të banimit.
Fatmirësisht, nga zjarri nuk raportohet për banesa të djegura, ndërsa situata u vu nën kontroll të plotë.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë kësaj periudhe, pasi temperaturat e larta dhe bimësia e thatë favorizojnë përhapjen e shpejtë të zjarreve. Ndërveprimet e pakujdesshme me zjarrin, përfshirë ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe hedhjen e pakujdesshme të cigareve, mund të shkaktojnë dëme të konsiderueshme në banesa, prona dhe mjedis.
Njoftimi i policisë
Elbasan
Zjarr pranë banesave në Kodër Krastë në periferi të qytetit të Elbasanit , ndërhyrja e zjarrfikësve parandalon përhapjen e flakëve drejt banesave.
Një vatër zjarri është konstatuar mesditën e kësaj të diele pas Kodrës së Krastës, në Elbasan, duke krijuar rrezik për përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara.
Zjarri është shfaqur në afërsi të banesave, ndërsa situata ka kërkuar ndërhyrje të menjëhershme të shërbimit zjarrfikës, pasi dy banesa u rrezikuan drejtpërdrejt nga përparimi i flakëve.
Për përballimin e situatës u angazhuan 3 mjete zjarrfikëse dhe 12 zjarrfikës, të cilët ndërhynë në terren për izolimin e vatrës dhe shuarjen e flakëve. Ndërhyrja në kohë bëri të mundur frenimin e përhapjes së zjarrit dhe shmangien e një situate më të rënduar pranë banesave.Beteja me flakët zgjati rreth dy orë dhe fatmirësisht situata u vu nën kontroll të plotë duke evituar djegien e banesave.
Operacioni u përqendrua veçanërisht në neutralizimin e vatrave dhe krijimin e një perimetri sigurie, me qëllim që flakët të mos përparonin drejt objekteve të banimit.
Rreziku për zjarre në qarkun e Elbasanit si kudo mbetet ende i lartë gjatë kësaj periudhe, për shkak të temperaturave të larta dhe kushteve që favorizojnë përhapjen e shpejtë të flakëve. Në zona pranë banesave, hapësirave të gjelbra dhe sipërfaqeve me bimësi të thatë, edhe një vatër e vogël mund të kthehet në një situatë të rrezikshme brenda pak minutash.
Shërbimi zjarrfikës i Elbasanit në mënyrë të përsëritur çdo ditë u bën thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe përgjegjshmëri, duke shmangur ndezjen e zjarreve në ambiente të hapura dhe çdo veprim që mund të shkaktojë zjarr.
Veçanërisht në ditët me temperatura të larta, mbetjet e ndezshme, hedhja e pakujdesshme e cigareve apo përdorimi i zjarrit pranë zonave me bimësi të thatë mund të shkaktojnë pasoja serioze për banesat, pronën dhe mjedisin.Zjarret e shumta të kësaj vere kanë shkaktuar dëme me vlera të jashtëzakonshme në zonat rurale dhe ato urbane .




