Nga Elbasanion
Asnjë kilometër larg qendrës së Belshit, në lagjen Shkëndijë është liqeni i Mullizit, që ndryshe nga të tjerët tashmë ka marrë emrin “Liqeni i ujërave të zeza dhe i mbeturinave”
Banorët flasin për erë të padurueshme, mbetje të djegura dhe një mjedis që ua vështirëson jetesën. Prej vitesh, liqeni është lënë pas dore, ndërsa premtimet e bashkisë mbeten vetëm në letër. “Ky liqen është i rrezikshëm. Nuk përdoret për asgjë. Ka vite që përdoret për ujërat e zeza e sa vjen do bëhet edhe më keq se shtohet sasia. Këtu është shumë e vështirë. Nuk jetohet”.
“Kanë ardhur shumë këtu nga bashkia. Do bëhet kështu e do bëhet ashtu…do mbyllet e do mbulohet por asgjë nuk është bërë. Nuk durohet grahma. Ne jemi më mirë se jemi pak më larg por këto që janë këtu e dinë si jetojnë.Një herë desh e mbushën këtë po nuk u bë gjë. Është qelbur i gjithë vendi këtu. Nuk kalohet e jo më të rrihet”-shprehet një banor.
E pyetur në lidhje me ecurinë e një projekti për menaxhimin e ujërave të zeza që derdhen në liqen, Bashkia Belsh shmangu një përgjigje direkte. Në vend të kësaj, në përgjigjen me shkrim, renditi disa investime të përgjithshme në rrjetin e kanalizimeve, pa përmendur nëse është marrrë ndonjë masë konkrete për ndalimin e ndotjes në Liqenin e Mullizit.