ELBASANMuzeu Etnografik i Elbasanit organizon një veprimtari të posaçme kulturore me rastin e Ditës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore, e cila do të zhvillohet ditën e mërkurë, më 29 shtator 2026, duke nisur nga ora 10:30.
Aktiviteti me moton “Artizanët tanë, mjeshtëria jonë!” synon promovimin e zejeve tradicionale dhe vlerave të trashëgimisë kulturore lokale përmes demonstrimeve të drejtpërdrejta nga artizanët.
Programi i përgatitur përfshin demonstrimin e punimit tradicional të qelesheve, punën në tezgjah, thurrjen e leshit, si dhe punimet me grep.
Gjithashtu, publiku do të ketë mundësi të ndjekë nga afër modelimin e baltës për krijimin e objekteve artizanale, prezantimin e veshjeve popullore dhe objekteve të ndryshme artizanale të trashëguara ndër breza.
Organizatorët ftojnë qytetarët dhe artdashësit të bëhen pjesë e këtij aktiviteti në ambientet e Muzeut Etnografik për të njohur e përjetuar nga afër traditën dhe kulturën shqiptare.




