Nga: Adelina Xhaferi (mësimdhënëse)
Historia e krijimit të gjuhëve na njeh me Mitin e Babilonit (synimi për absoluten dhe dënimi për të folur gjuhë të ndryshme) në një të kaluar të largët e me shenja që janë bartur në kohërat e mëvonshme, për të arritur deri në ditët tona e për të na dëshmuar se shqipja ka një lashtësi, një vend të sajin dhe një emër të cilin sot e rrethojnë studimet e shumta bërë mbi të.
Shpesh lind pyetja se si kanë arritur njerëzit t’i ruajnë elementet gjuhësore në kohë trazirash (përfshirë në këtë rast: fjalët me burim vendas, format e tyre, rregullat sintaksore, numrin e fjalëve që në ditët e sotme përfshihen në fjalorë etj) dhe si në kohëra të tilla, kur u është rrezikuar jeta, të pranonin të huajën e tjetrit dhe ta bënin pjesë të përditshmërisë sa më natyrshëm, krejt kjo duke synuar mbijetesën dhe lënien e dëshmive që të paraqisnin lashtësinë dhe ekzistencën e saj si gjuhë.
Por, nga ana tjetër, duke e pasur të njohur historinë e shqipes është shumë e lehtë të thuhet se ajo si e tillë me kalimin e shekujve ka marrë nga gjuhët tjera, herë në rast nevoje e mungese fjalësh, e herë të tjera e detyruar nga sunduesi që nuk ia solli vetëm të huajën në çdo pikëpamje, por ia kujtonte çdo ditë se kryefjala e tij ishte: “Përça e sundo!”
Meqë shqipja si gjuhë bën pjesë në familjen indoevropiane, gjegjësisht në grupin e saj të parë të quajtur satem dhe kjo u vërtetua nga Franc Boppi, me veprën e tij “Përmbi shqipen në lidhjet e afërsisë së saj” të vitit 1854, brenda gjirit të saj te pjesët e trashëguara gjejmë: fjalët në fjalorë që me kalimin e kohës kanë pësuar edhe ndryshime, numërorë të thjeshtë, numërorë të përbërë dhe ata nga 11 deri në 19, kundërvënien e zanoreve të gjata dhe të shkurtra, trashëgim edhe te ca pjesë të ligjëratës (tek emrat, mbiemra, përemrat, foljet), përfshirë këtu edhe dukuritë arkaike (l-ll, kl, gl- q, gj, n-r), ndër të cilat ajo ka të përbashkëta edhe me gjuhët tjera indoevropiane, e në veçanti me rumanishten, bullgarishten, greqishten e maqedonishten (gjuhët ballkanike).
Po të ndalemi vetëm në faktin se a duhet që shqipja të jetë ishull më vete, atëherë do të duhej të mohonim ballkanizmat (dukuritë e përbashkëta të popujve të Gadishullit Ballkanik), si: prapavendosja e nyjës shquese, formimi i kohës së ardhme me foljen ndihmëse “dua”, njësimin formal të rasës gjinore e dhanore, zëvendësimin e paskajores me lidhoren dhe rimarrjen e kundrinave me anë të formave të përemrave vetorë, ndonëse shqipja ka ndjekur një rrugë evolucioni të vetën.
Pra, vetë ky fakt na çonë të theksojmë se dukuritë që shqipja i ka të përbashkëta me gjuhët tjera, nuk e lënë atë të dalë ishull më vete e të pranohet si e tillë jo vetëm nga studiuesit e saj, por edhe nga shqipfolësit. Me këtë rast ne do të duhej të linim anash huazimet greke (greqishtja e mesme dhe e re) të shqipes: trëndafil, manastir, dafinë, skile, demokraci, fonetikë, morfologji, sintaksë, poligon etj; huazimet romane (italiane e frënge), si: monedhë, barkë, vapor, muzikë, soprano, byro, bluzë, natyrë, timon etj; huazimet sllave: grusht, kosë, çekan, lopatë, mace, trup, patë, kyç etj; si dhe huazimet turke: haraç, bej, pasha, bahçe, mejdan, çorap, hambar, bajrak, mavi etj.
Nga gjithë kjo do të duhej që shqipja të ishte e vetme, të mos jepte e të mos merrte nga asnjë tjetër, të mos i njiheshin vlerat që ajo ka në raport me gjuhët tjera ose të lihej me atë numër të konsiderueshëm fjalësh që ajo barti nga ilirishtja e si e tillë të ishte e pamundur t’i njihej larmia ose epërsia që kishte mbi gjuhët tjera, e të mos mendohej më për një veçim të saj.