Federata polake premton bonus për lojtarët nëse mposhtin Shqipërinë

Polonia dhe Shqipëria do të përballen më 26 mars në gjysmëfinalen e fazës “play-off” për një vend në Kupën e Botës, në një sfidë që konsiderohet vendimtare për të dyja përfaqësueset. Në prag të kësaj ndeshjeje, Federata Polake e Futbollit ka vendosur të rrisë motivimin e skuadrës duke ofruar një bonus të majmë financiar në rast kualifikimi.

Sipas raportimit të gazetarit Mateusz Ligęza nga Radio ZET, futbollistët polakë mund të përfitojnë rreth 4.2 milionë dollarë nëse arrijnë të sigurojnë pjesëmarrjen në Botëror. Kjo shumë përfaqëson afërsisht 40% të fondit total prej 10.5 milionë dollarësh që FIFA u akordon ekipeve që marrin pjesë në fazën e grupeve të turneut.

Në një postim në rrjetin social X, gazetari polak theksoi se një pjesë e konsiderueshme e shpërblimit që federata do të marrë nga FIFA në rast kualifikimi pritet t’u shpërndahet lojtarëve si bonus për arritjen e objektivit.

Nëse kalon Shqipërinë, Polonia do të përballet në finalen e “play-off”-it me fituesin e duelit mes Ukrainës dhe Suedisë, ndeshje që do të përcaktojë ekipin që do të marrë biletën për në Kupën e Botës.

Ndërkohë, trajneri i kombëtares polake, Jan Urban, pritet të shpallë më 20 mars listën e futbollistëve të grumbulluar për përballjen ndaj Shqipërisë.