Një incident i rëndë është regjistruar në qytetin e Sarandës, ku një 62-vjeçar dyshohet se ka hyrë i armatosur në banesën e fqinjëve dhe i ka kërcënuar me armë zjarri.
Sipas informacionit të policisë, ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 4 të qytetit. Një shtetase ka njoftuar shërbimet e policisë se fqinji i saj kishte hyrë në banesë i armatosur me pistoletë dhe po kanoste atë dhe familjarët e saj.
Nga verifikimet paraprake rezulton se konflikti mes fqinjëve dyshohet të ketë nisur për shkak të mosmarrëveshjeve lidhur me shfrytëzimin e një hapësire të përbashkët në pallat, konkretisht të tarracës së ndërtesës ku ata banonin.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore, policia arrestoi në flagrancë 62-vjeçarin Shefki Kaçupaj, ndërsa gjatë kontrollit iu sekuestrua edhe arma e zjarrit, një pistoletë me mulli.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë për vijimin e hetimeve dhe veprime të mëtejshme procedurale.













