LEZHË- Ekspertiza paraprake mjeko-ligjore për vdekjen Xhuana Nikillaj, 25-vjeçarja që ndërroi jetë në QSUT pasi u vetëhelmua me fostoksinë është zbardhur. Bëhet me dije se, e reja kishte shenja të dukshme në trup, të cilat thuhet se i janë shkaktuar nga ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, i shpallur në kërkim nga policia.
Sa i përket raportimeve se 25-vjeçarja ishte shtatzënë, ekspertiza sot ka vërtetuar të kundërtën. Gjithashtu, familjarët pretendojnë se e reja është dhunuar në mënyrë brutale nga ish-partneri i saj, Fizi.
Para se të ndërmerrte aktin fatal, 25-vjeçarja kishte lënë edhe një letër, ku shkruante se nuk donte më që ata njerëz që i kishin bërë keq të vazhdonin ta lëndonin. Po ashtu, në fund të letrës, ajo u kërkonte ndjesë nënës dhe babait të saj.













