Osmani i mohon aludimet për pakt me Ramën: “Këto janë të rrezikshme dhe absurde”

KOSOVË – Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj spekulimeve për një supozuar pakt mes saj dhe kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, për të influencuar votat e PDK-së dhe rrëzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Gjatë intervistës në emisionin “Çim Peka Live” në SYRI TV, Osmani i ka cilësuar këto akuza si absurde dhe të rrezikshme, duke theksuar se disa prej tyre kanë çuar deri te kërcënime për jetën e saj.

“Është e rrezikshme të barazohesh me Vuçiç dhe kjo ka sjellë deri te thirrje publike për pushkatim,” tha Osmani, duke shtuar se gjuha e linçimit në Kosovë pas luftës ka sjellë pasoja tragjike. Presidentja vuri në dukje se të gjitha veprimet e saj gjatë mandatit kanë qenë të përqendruara në mbrojtjen e Republikës së Kosovës dhe demaskimin e politikave agresive të Serbisë.

Duke iu përgjigjur pyetjes për raportet me Edi Ramën, Osmani theksoi: “Ku janë faktet që të provojmë një komplot mes meje dhe kryeministrit Rama? Asnjë dëshmi nuk ekziston. Raporti im institucional me kryeministrin është i njohur dhe dallimet që kemi pasur janë të publikuara.”

Presidentja gjithashtu bëri apel që energjia dhe sulmet politike të fokusohen drejt sfidave reale, siç është agresioni i Serbisë ndaj Kosovës, në vend që të sulmohet presidentja e zgjedhur demokratikisht. “Nëse kjo energji do të drejtohej ndaj Serbisë dhe agresionit të saj, Kosova do të kishte arritur shumë më tepër,” tha ajo.

Osmani gjithashtu nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke përmendur vizitat e saj në vende të ndryshme dhe përpjekjet për të siguruar përkrahje për Kosovën në raport me sfidat nga Serbia dhe rajoni.