Grabitet një pikë këmbimi valutor në Tiranë, autori largohet me një shumë parash

Një pikë e këmbimit valutor është grabitur paraditen e sotme në Tiranë, në zonën e rrugës “5 Maji”.

Sipas informacioneve paraprake, një person i armatosur ka hyrë në ambientet e pikës së këmbimit valutor dhe, nën kërcënimin e armës, ka marrë një shumë parash, duke u larguar më pas nga vendngjarja. Deri më tani nuk bëhet e ditur shuma e parave të grabitura.

Menjëherë pas ngjarjes, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth për të bërë të mundur kapjen e autorit.

Policia njofton se autori i dyshuar është ende i paidentifikuar, ndërsa po vijojnë kontrollet dhe krehja e zonës.

Njoftimi paraprak i Policisë:

Rreth orës 09:10, në rrugën “5 Maji”, një shtetas ende i paidentifikuar, nën kërcënimin e një sendi në dukje armë zjarri (pistoletë), ka vjedhur një shumë parash në një pikë këmbimi valutor brenda një qendre tregtare dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.

Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, kanë bërë rrethimin e zonës dhe kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore përreth.

Ndërkohë, grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa vijojnë veprimet për identifikimin dhe kapjen e autorit.