Vjedhje me thyerje në Cërrik, arrestohet 36-vjeçari i dënuar më parë

CËRRIK, 3 mars 2026 – Një 36-vjeçar është vënë në pranga nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik, pasi dyshohet si autor i një vjedhjeje me thyerje në një dyqan në lagjen nr. 2 të qytetit.

Sipas burimeve zyrtare, pas marrjes së njoftimit për ngjarjen, policia organizoi menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u bë i mundur identifikimi i shtetasit A. M., 36 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Cërrik.

Nga hetimet paraprake dyshohet se ai, në bashkëpunim, në orët e para të mëngjesit të datës 2 mars 2026, ka vjedhur me thyerje në dyqanin e shtetasit F. H., 57 vjeç, një shumë parash.

Në përfundim të veprimeve procedurale, A. M. u arrestua në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Sipas policisë, 36-vjeçari ka qenë i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.