Irani godet rafinerinë më të madhe të Arabisë Saudite, a është bota pranë një krize globale?

Një valë sulmesh në Lindjen e Mesme ka shkaktuar ndërprerje të prodhimit të gazit natyror të lëngshëm (LNG) në Katar dhe ka goditur një nga rafineritë më të mëdha të naftës në Arabinë Saudite.

Sulmet ndodhin si hakmarrje e Iranit ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Prodhimi i LNG-së në Katar përfaqëson rreth 20% të furnizimit global dhe është i rëndësishëm për balancimin e tregjeve në Azi dhe Europë. Pas sulmeve me dronë në kompleksin gjigant të Ras Laffan, ku ndodhen njësitë e përpunimit të gazit, kompania shtetërore QatarEnergy paralajmëroi se mund të shpallë gjendjen e jashtëzakonshme për dërgesat e gazit natyrore.

Dronët goditën edhe zonën industriale Mesaieed në jug të Katarit, ku funksionojnë fabrika petrokimike dhe prodhuese.

Si pasojë e konfliktit, çmimet e gazit natyror u rritën ndjeshëm, kontrata europiane e referencës holandeze TTF u rrit me 46%.

Çmimet e naftës u rritën deri në 13% gjatë ditës, duke kaluar 82 dollarë për fuçi, niveli më i lartë që nga janari i vitit 2025, ndërsa trafiku detar në Ngushticën e Hormuzit u kufizua ndjeshëm.

Në Arabinë Saudite, rafineria Ras Tanura e kompanisë shtetërore Saudi Aramco, me kapacitet 550 mijë fuçi në ditë, u mbyll përkohësisht si masë paraprake pas sulmeve me dronë. Autoritetet saudite njoftuan se dy dronë u neutralizuan, duke shkaktuar vetëm një zjarr të vogël dhe pa të lënduar. Disa nga njësitë e rafinerisë u ndaluan për siguri, por furnizimi i tregut lokal me karburant nuk u prek.

Edhe në Kurdistanin irakian, kompanitë DNO, Gulf Keystone Petroleum, Dana Gas dhe HKN Energy ndaluan përkohësisht prodhimin e naftës, ndërsa në Izrael qeveria urdhëroi ndërprerjen e përkohshme të fushës gjigante të gazit Leviathan, që po zgjerohej për eksport në Egjipt.

Shpërthime u dëgjuan gjithashtu në ishullin Kharg të Iranit, ku përpunohen 90% e eksporteve të naftës së vendit, por nuk është ende e qartë se sa është dëmtuar infrastruktura.

Analistët vlerësojnë se sulmi në rafinerinë Ras Tanura përfaqëson një përshkallëzim të rëndësishëm, duke vënë infrastrukturën energjetike të Gjirit në shënjestër të Iranit dhe duke rritur mundësinë që Arabia Saudite dhe shtetet fqinje të koordinohen akoma më shumë me operacionet ushtarake të SHBA-ve dhe Izraelit.