Një shpërthim i kontrolluar do të bëhet në dalje të tunelit të Llogarasë! Shkak, hapja e trasesë së rrugës

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se për shkak të punimeve në rrugët lidhëse të Llogarasë do të bëhet një shpërthim i kontrolluar në drejtim të Palasës.

Sipas njoftimi, shpërthimi do të realizohet në orën 11:30, rreth 1km nga dalja e tunelit të Llogarasë dhe do të jetë në funksion të hapjes së trasesë së rrugës, pa penguar trafikun.

“Në vijim të punimeve për ndërtimin e segmentit rrugor të rrugëve lidhëse të Llogarasë, sot në orën 11:30, rreth 1km nga dalja e tunelit të Llogarasë, në drejtim të Palasës, është parashikuar të kryhet një shpërthim i kontrolluar me sasi të vogla eksplozivi, në funksion të hapjes së trasesë së rrugës, pa penguar trafikun. Punimet janë koordinuar me Policinë e Shtetit, me qëllim menaxhimin dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit të mjeteve gjatë këtij procesi”, thuhet në njoftim.

ARRSH kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe drejtuesve të mjeteve deri në përfundimin e plotë të këtij procesi pune.