Elbasani ka lënë përsëri pikë të rëndësishme në luftën për titullin kampion, pasi është ndalur në një barazim 1-1 përballë Bylisit në shtëpi.
Ndeshja ka qenë pa ritëm në pjesën e parë me skuadra që rrallëherë rrezikuan portat, ndërsa kishte më shumë raste me pretendime për penallti se sa gjuajtje të rrezikshme në portë.
Miqtë gjithsesi ishin ata që u treguan më të rrezikshëm në pjesën e dytë dhe fituan penalltinë që solli avantazhin me Stoilov. Më pas ata u kthyen në mbrojtje, kurse Elbasani provoi në çdo mënyrë që të gjente golin e barazimit.
Loukili ia doli të shënonte një të tillë vetëm falë një devijimi, ndërsa më pas nisi një festival rastesh të humbura, edhe atëherë kur mbrojtja e miqve dukej si spektatore.
Ndaj në fund ishte vetëm një barazim që i vlen me shumë Bylisit për mbijetesën se sa Elbasanit për luftën në “Final 4”.












