Ka ndihmuar qindra pacientë dhe dha kontribut të pashoq gjatë pandemisë, ndahet nga jeta infermieri

Një lajm i trishtë vjen nga radhët e Infermierëve: është ndarë nga jeta në moshën 39-vjeçare Erald Samarxhi, infermier pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Shoqata e Infermierëve njofton se humbja e tij ka lënë një dhimbje të madhe tek familja, kolegët dhe të gjithë ata që e njihnin. Erald Samarxhi konsiderohej një profesionist i përkushtuar dhe shembullor, me një kontribut të veçantë gjatë pandemisë, si dhe në çdo rast kur pacientët kishin nevojë për ndihmën e tij.

“Prej shumë vitesh infermier në spitalin e Infektivit QSUT, një djalë shembullor dhe i dashur, i përkushtuar ndaj punës dhe pacientëve, sot la një boshllëk të madh tek familja, kolegët dhe të gjithë ata që e njihnin. Pushofsh në paqe, koleg”, shkruan Shoqata e Infermierëve, duke shprehur ngushëllime të përzemërta familjes, kolegëve dhe miqve.