KORINTH, Greqi – Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Korinth, ku një 17-vjeçar shqiptar, që sipas disa medieve mban emrin Aleks Vangjeli, ka humbur jetën pas një përleshjeje me një të ri grek.
Sipas autoriteteve greke, Vangjeli u paraqit fillimisht në spital me plagë në zonën e barkut, duke deklaruar se ishte përplasur aksidentalisht me një makinë. Ai u dërgua me ambulancë drejt Athinës, por fatkeqësisht nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra.
Në të njëjtën kohë, një 19-vjeçar grek, gjithashtu i lënduar me thikë, u paraqit në një klinikë private në Korinth dhe pretendoi se është përfshirë në një aksident.
Shkaqet e përleshjes nuk janë ende të qarta, por dyshohet se konflikti ka nisur për motive të dobëta. Hetimet e autoriteteve greke vijojnë për të përcaktuar rrethanat e sakta të ngjarjes.













