Ç’po ndodh në aksin e bllokuar te ‘Arrat e Gurrës’

Vijon me ritme intensive në vendin e shembjes masive të dherave në zonën e njohur si “Arat e Gurres”, në aksin Librazhd–Prrenjas.

Autoritetet kanë devijuar rrjedhën e lumit Shkumbin për të shmangur gërryerjen e mëtejshme të bazës së kodrës. Po ashtu, fadroma dhe mjete të rënda janë angazhuar për sistemimin e materialeve të rrëshqitura.

Paralelisht, po kryhen sondazhe gjeologjike për t’i hapur rrugë ndërtimit të një segmenti të ri rrugor prej 1.3 kilometrash, i cili do të mundësojë rikthimin e qarkullimit normal në zonë.

Në terren ndodhen drejtues institucionesh kyçe, mes tyre:

Ami Kozeli, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar

Blendian Dalipi, administrator i Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike

Ergys Verdho, drejtor i Hekurudha Shqiptare

Gjithashtu, po kryhet zhvendosja e disa shtyllave të tensionit të lartë, të prekura nga erozioni, për të garantuar vijimësinë e furnizimit me energji elektrike në zonë.

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes maksimal dhe shmangie të lëvizjeve të panevojshme deri në stabilizimin e plotë të situatës.