Shembet pothuajse tërësisht një urë hekurudhore në linjën Elbasan–Librazhd

Screenshot

Një tjetër situatë e rëndë është konstatuar përgjatë linjës ekzistuese hekurudhore Elbasan–Librazhd, ku një urë hekurudhore rezulton të jetë shembur pothuajse tërësisht. Ngjarja është evidentuar dhjetëra metra pranë aksit kombëtar Elbasan–Librazhd, në afërsi të urës së re automobilistike, në hyrje të kthesave të Murrashit.

Zona ndodhet rreth 12 kilometra larg segmentit të dëmtuar në Dragostunjë, ku më herët u regjistrua shembja e një pjese të infrastrukturës hekurudhore. Sipas pamjeve filmike nga vendngjarja, struktura e urës është dëmtuar rëndë, ndërsa toka përreth ka pësuar çarje dhe rrëshqitje në disa pjesë, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi stabilitetin e terrenit.

Gjendja e krijuar paraqet rrezik potencial, veçanërisht nëse procesi i shembjes vijon ose përshkallëzohet si pasojë e lëvizjeve të mëtejshme të tokës. Deri në këto momente nuk ka pasur asnjë njoftim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me situatën konkrete, masat e marra apo vlerësimin e riskut për zonën përreth.