Aksi Maliq-Gramsh është “paralizuar” nga trafiku kilometrik, i krijuar nga automjetet që po kthehen drejt Tiranës.
Automjetet devijuan në këtë aks rrugor pasi ARRSH e sugjeroi si rrugë alternative për shkak të dëmtimeve në aksin Librazhd-Pogradec vendi i quajtur Arrat e Gurrës.
Mësohet se, për shkak të radhës në aksin Maliq – Moglicë, policia ka bllokuar hyrjen e mjeteve që në hyrje të Maliqit. Pritet të zhbllokohet qarkullimi në Lozhan pasi atje ka ngecur një trajler dhe kalohet vetëm me një korsi.
Kjo ka sjellë vështirësi në qarkullim pasi drejtuesit e mjeteve kanë fikur makinat duke pritur të hiqet trajleri. Në total ishin tre trajlera që mbetën të bllokuar në këtë rrugë.
Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) njoftoi më herët bllokimin total të aksit Librazhd-Pogradec për shkak të problematikave në vendin e quajtur Arrat e Gurrës. ARRSH njoftoi se devijimi do të bëhej në rrugën Maliq-Lozhan- Moglic-Gramsh- Elbasan deri në stabilizimin e plotë të situatës.
“Në aksin Librazhd-Pogradec vendi i quajtur Arrat e Gurrës, pas vlerësimit në terren, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në koordinim me Policinë e Shtetit, për arsye sigurie njofton se: Do të ndalohet qarkullimi i të gjitha mjeteve në këtë segment. Ndërkohë nga ana e ARRSH po merren masat e nevojshme për të ndërtuar menjëherë një bypass provizor për sigurinë e qytetarëve dhe mjeteve.
U bëjmë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin këtë aks, ndërkohë që përdoruesit e autoveturave të përdorin rrugën alternative Maliq-Lozhan- Moglic-Gramsh- Elbasan deri në stabilizimin e plotë të situatës. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës. Çdo masë e marrë ka si qëllim të vetëm garantimin e sigurisë së jetës dhe parandalimin e incidenteve të mundshme”, thuhej në njoftimin e ARRSH.














