“Na u shua dera e shtëpisë…”/Grykshi i Madh i Peqinit në zi për tragjedinë e familjes Kola, përcillen viktimat për në banesën e fundit

PEQIN- Grykshi i Madh i Peqinit është në zi këtë të enjte pasi familja Kola po përcillet për në banesën e fundit. Në fshat ndihet heshtja e rëndë dhe lotët e miqve e të afëmve që nuk ndalen për Artin, Jonidën, Hajdarin dhe Xhesika Kolën.

Të afërmit e familjes që u shua tragjikisht në Itali javën e kaluar, mezi gjejnë fjalë për të përshkruar atë që po përjetojnë. Ato shprehen se, nuk u besohet ende që nuk do t’i shohin më.

Disa nga deklaratat e të afërmve:

“Na iku një familje e tërë… Na u mbyll dera e shtëpisë,” thotë mes lotësh një nga familjarët. “Arti ishte shtylla e familjes, një jetë e tërë në emigrim pa mbushur ende 14 vjeç. Ishte njeri punëtor e i qetë. Jonida ishte zemra e shtëpisë. Fëmijët… ishin drita e syve të tyre. Si ta përballosh një dhimbje të tillë?

Nuk kemi parë kurrë një tragjedi të tillë. Është si të na jetë këputur një pjesë e shpirtit,” shprehet një fqinj i vjetër. I njihnim prej vitesh. Ishin njerëz të thjeshtë, të dashur, që nuk i bënin keq askujt.

Fshati Gryksh i Madh sot është në zi. Nuk është vetëm dhimbja e familjes së tyre, është dhimbja e të gjithëve ne. Hajdari dhe Xhesika ishin fëmijë të mbarë, plot ëndrra. Nuk e besojmë ende që nuk do t’i shohim më.

Kjo është një dhimbje që nuk kalon kurrë, thotë një e afërme. Do të jetojmë me kujtimin e tyre çdo ditë., u shprehen të afërmit e familjes Kola.