Nga Roberta Polese, CORRIERE DELLA SERA
Massimo Ferro, 54 vjeç, sipërmarrës nga Camposampiero në Itali, kishte vendosur që të humbiste peshë.
Pas vitesh dietash që nuk kishin pasur kurrë sukses, kishte vendosur t’i besonte një klinike milaneze që premtonte një zgjidhje afatgjatë.
Në klinikën private i kishin propozuar një udhëtim në Tiranë, ku mund t’i nënshtrohej një ndërhyrje kirurgjikale që zvogëlon stomakun.
Por diçka nuk shkoi siç duhej dhe Massimo Ferro vdiq më 22 dhjetor të kaluar në Shqipëri.
Për të hedhur dritë mbi ngjarjen, prokurori i Padovës, Andrea Girlando, ka regjistruar në listën e të dyshuarve mjekun kirurg Andrea Formiga dhe dietologen Alessandra Freda, të dy nga Lombardia.
Të hënën në Padova do të kryhet autopsia mbi trupin e Massimos; mjeku ligjor i ngarkuar nga prokuroria është doktori Antonello Cirnelli.
Në dhjetor, kontakti i Ferro-s me kirurgun kishte ndodhur përmes mesazheve në WhatsApp, nëpërmjet të cilave ishin dhënë informacionet, kostot dhe udhëzimet logjistike. Çmimi i operacionit, 4.400 euro, ishte shumë më i ulët krahasuar me rreth 15 mijë eurot e kërkuara në Itali. Pavarësisht se pacienti vuante nga diabeti i tipit II dhe peshonte 108 kilogramë, operacioni u planifikua për 18 dhjetor në Tiranë, në klinikën “binjake” të asaj milaneze.
Analizat para-operative, të cilat Ferro nuk arriti t’i përfundonte në Itali, u shtynë drejtpërdrejt për një ditë para ndërhyrjes në Tiranë. Sipas asaj që ka denoncuar familja (avokatët Stefano Squarise dhe Jenny Lopresti), asnjë nga procedurat e parashikuara nga udhëzimet italiane dhe ndërkombëtare për kirurgjinë e obezitetit nuk është respektuar. Udhëzimi i vetëm i dhënë kishte qenë që të qëndronte pa ngrënë që nga mbrëmja e një dite më parë.
Massimo Ferro mbërriti në Tiranë më 17 dhjetor së bashku me bashkëshorten e tij. Ditën pasuese u operua. Më 22 dhjetor iu rrit temperatura, nuk po merrte frymë dhe zemra e tij pushoi së rrahuri. Deri më sot, sipas familjarëve, askush nuk ka qenë në gjendje të tregojë me siguri shkakun e vdekjes.
“Duam vetëm të dimë pse Massimo nuk u kthye më në shtëpi”, shkruajnë bashkëshortja Romina dhe fëmijët.














