VLORË- Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Vlorës. Bëhet me dije se gazetari i SYRI-t, Gentjan Këllçiu është sulmuar nga punonjësi i Bashkisë së Vlorës, Alket Hila. Ngjarja ka ndodhur teksa gazetari i SYRI-t po raportonte live protestën.
Ndërkohë, gazetari Gentjan Këllçiu ka deklaruar se situata u përshkallëzua në mënyrë të papritur dhe të dhunshme, pasi 33 vjeçari ka tentuar t’i rrëmbejë mikrofonin nga duart.
“Isha duke pasqyruar protestën e punonjësve të Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, kur papritmas erdhi dhe më rrëmbeu mikrofonin nga duart, duke tentuar ta largojë me forcë. Nuk e lash dhe nga tensioni situata eskaloi. Pas kësaj, u kërcënova dhe u godita. Kërkova menjëherë ndihmën e policisë,” ka treguar gazetari i SYRI-t.
Lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe policia, ku me anë të një njoftimi ka bërë me dije se gjatë momentit të tensionuar, Alket Hila ka ushtruar dhunë edhe ndaj një qytetari 67-vjeçar, duke e goditur me grushte dhe duke i shkaktuar dëmtime të lehta.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprat penale ‘Goditja për shkak të detyrës’ dhe ‘Dëmtime të tjera me dashje’, në ngarkim të shtetasit A. H., 33 vjeç, banues në Vlorë.
Më datë 04.02.2026, rreth orës 12:30, në lagjen ‘Kushtrimi’, Vlorë, ku ishte njoftuar zhvillimi i një proteste nga punonjësit e Ndërmarrjes së Gjelbërimit të Bashkisë Vlorë, dhe ku të pranishëm ishin edhe gazetarë të mediave të ndryshme për pasqyrimin e situatës, shtetasi A. H., dyshohet në gjendje të dehur, ka nisur fillimisht debate verbale dhe më pas fizike me shtetasin G. K., 33 vjeç, me profesion gazetar.
Më pas ka goditur me grushte edhe një 67-vjeçar, duke i shkaktuar dëmtime të lehta. Shtetasi A. H, u shoqërua në Komisariatin e Policisë Vlorë dhe, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore dhe komunikimit me Prokurorin e gatshëm, u procedua penalisht në gjendje të lirë, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Në lidhje me ngjarjen ka reaguar edhe shoqata e gazetarëve të Vlorës. Në njoftim thuhet se Shoqata e Gazetarëve të Vlorës dënon fort çdo veprim që kërkon të pengojë punën e medias në qytet.













