KORÇË- Prokuroria e Korçës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Ilirjan Selmanin, pasi vrau partneren dhe i vuri flakën banesës së saj. I riu i mori jetën 52-vjeçares Kozeta Teço dhe më pas i dogji banesën në mënyrë që të fshinte provat.
Gjatë marrjes në pyetje në polici, Ilirjan Selmani pranoi disa episode, por jo që ta ketë kryer ai krimin.
Njoftimi i Plotë:
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Korçë, përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin I.S. për veprën penale ‘Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’ parashikuar nga neni 79/e i Kodit Penal ndaj viktimës K.T.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1064, viti 2025, rezultoi se në lagjen nr.1 në qytetin e Pogradecit kishte rënë zjarr në një banesë dhe dyshohej një viktimë, e identifikuar më vonë si shtetasja K.T.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, ku u gjetën disa vatra zjarri, si dhe nga këqyrja e parë e kufomës, në trupin e së cilës u konstatuan shënja dhune. Ndërsa në tualetin e banesës, të vendosura në një qese mbeturinash u gjetën një dorezë thike, një teh thike, një thikë tjetër me bisht druri dhe një teh thike të ndotur me lëndë të kuqërremtë të ngjashme me të gjakut.
Në përfundim të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor u konkludua se dëmtimet që i janë shkaktuar shtetases K.T., janë me mjete të fortë prerës. Shkaku i vdekjes ka qënë si pasojë e shokut traumatiko-hemoragjik.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, aktet dhe burimet e provave të përftuara, rezulton se, shtetasi nën hetim I.S. ka patur një marrëdhënie dashurie me viktimën. Ai shkonte shpesh në banesën e saj, rreth 2-3 herë në javë dhe marrëdhënia e tyre ka zgjatur për më shumë se 3 vjet. Nga rezultatet e këqyrjes së pamjeve filmike të marra nga subjektet përreth vendit të ngjarjes është konstatuar se shtetasi I.S. ka shkuar në banesën e viktimës në orën 22:48 sipas pamjeve filmike dhe pas kësaj ore nuk është konstatuar asnjë lëvizje tjetër deri në orën 03:58 sipas orës së kamerës dhe 04:58 sipas orës reale, moment kur shtetasi I. S., ka hedhur qeset në koshin e mbeturinave.
Në referim të akteve të ekpertimeve biologjike vlerësuese dhe krahasuese, ka rezultuar se shtetasja K. T. është vrarë me thikat që janë gjetur në një qese në tualetin e banesës së saj, të cilat përmbanin gjak dhe fije floku që i përkisnin viktimës. Ka rezultuar se në xhepin e pasëm të pantallonave të shtetasit I.S. është konstatuar gjaku i viktimës.
Në përfundim, nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera, janë përftuar akte dhe burime provash që provojnë se shtetasi I.S., ka vrarë në rrethana që i kanë shkaktuar mundime të veçanta viktimën K.T. dhe duhet të përgjigjet penalisht për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në mënyrë të tillë që i shkakton mundime të veçanta viktimës, parashikuar nga neni 79, shkronja (e) të Kodit Penal.
Ngjarja e ndodhur në lagjen nr. 1, Pogradec, fillimisht u raportua si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj. Më pas gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së trupit të pajetë, janë krijuar dyshime se shkaku i humbjes së jetës së 52-vjeçares nuk ishte asfiksia, sepse në trupin e saj konstatuan dëmtime të shkaktuara me thikë.
Nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë në zonë, u bë i mundur identifikimi i autorit, i cili dyshohet se ka patur lidhje intime me 52-vjeçaren, prej 3 vitesh. Pasi ka vrarë 52-vjeçaren dhe i ka vënë flakën shtëpisë, Selmani dyshohet është larguar nga banesa, rreth orës 05:00. Ai akuzohet për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.













