Aksident i rëndë në aksin Librazhd–Elbasan, automjeti përmbyset, dy të plagosur

LIBRAZHD–ELBASAN – Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar mëngjesin e sotëm në aksin e rrugës kombëtare Librazhd–Elbasan, ku si pasojë janë plagosur dy persona.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:30, në segmentin e njohur si “Kthesa e Murrashit”. Sipas informacioneve paraprake, automjeti po lëvizte me shpejtësi dhe, gjatë një manovre për të shmangur gurë dhe dhera të rëna mbi rrugë, drejtuesi ka humbur kontrollin e mjetit.

Si pasojë, automjeti është përplasur fillimisht me mbrojtëset metalike anësore dhe më pas është përmbysur, duke përfunduar sërish në trasenë e rrugës.

Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e Policisë dhe autoambulancat, të cilat kanë transportuar dy të plagosurit drejt spitalit për ndihmë mjekësore. Sipas burimeve zyrtare, gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

Policia rrugore ka ndërhyrë për normalizimin e qarkullimit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve dhe rrethanave të aksidentit.