Policia del me video pas protestës: 11 efektivë të lënduar, 23 persona të shoqëruar, mes tyre edhe një i mitur

Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht pas protestës së zhvilluar sot nga Partia Demokratike, duke bërë me dije se gjatë tubimit janë lënduar 11 punonjës policie dhe deri në këto momente janë shoqëruar 23 persona.

Sipas njoftimit të policisë, gjatë protestës para Kryeministrisë dhe sallës së Kuvendit janë regjistruar akte dhune ndaj forcave të rendit, përfshirë hedhjen e molotovëve, përdorimin e lëndëve piroteknike dhe sendeve të forta. Si pasojë, 11 efektivë policie, të angazhuar për mbarëvajtjen dhe garantimin e tubimit, kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin ndihmë mjekësore.

Punonjësit e lënduar janë vizituar në Spitalin e Traumës dhe në repartin e djegieve nga Drejtori Vendor i Policisë së Tiranës, Elton Alushi, si dhe Zëvendësdrejtori për Rendin, Dashnor Muhaj.

Policia thekson se, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme përmes qendrës së zërit për ndalimin e akteve të dhunës, situata ka vijuar të përshkallëzohet, duke e detyruar ndërhyrjen për shpërndarjen e turmës, në përputhje me parashikimet ligjore në fuqi.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka nisur menjëherë punën për dokumentimin ligjor të veprimeve të dhunshme ndaj punonjësve të rendit. Paralelisht, shërbimet e policisë po analizojnë pamjet filmike për identifikimin e personave të përfshirë në akte dhune dhe shoqërimin e tyre.

Sipas policisë, deri më tani janë shoqëruar 23 persona. Gjatë verifikimeve është konstatuar se njëri prej tyre është i mitur. Autoritetet sqarojnë se prindërit janë njoftuar menjëherë dhe se i mituri nuk është futur në dhomat e shoqërimit, por ka qëndruar në zyrën e pritjes së qytetarëve, deri në momentin që është marrë në dorëzim nga prindërit e tij.