Berisha: Jemi në kilometrin e fundit, asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores

TIRANË – Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mbajtur një fjalim para protestuesve të mbledhur këtë të shtunë para Kryeministrisë, ku deklaroi se opozita ndodhet në fazën përfundimtare të betejës së saj politike kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

“Sot ne jemi në kilometrin e fundit. Me ndihmën e Zotit, asgjë nuk do të na ndalë drejt fitores tonë”, u shpreh Berisha, duke iu drejtuar qytetarëve të pranishëm në shesh dhe shqiptarëve kudo që ndodhen.

Ai e cilësoi protestën si pjesë të një përballjeje të gjatë dhe të vështirë të opozitës, të cilën e përshkroi si një “maratonë” të shoqëruar me presione, dhunë politike dhe tentativa për izolimin e saj. Sipas Berishës, qëllimi i qeverisë ka qenë krijimi i një Shqipërie pa opozitë, por ky projekt, sipas tij, ka dështuar.

“Pavarësisht burgjeve, manipulimeve dhe presioneve, sot jemi më të fortë se kurrë. Jemi ngritur nga izolimi dhe kemi arritur në kilometrin e fundit si forca politike më e mbështetur nga shqiptarët”, tha lideri demokrat.

Berisha shtoi se opozita ka arritur të fitojë mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë vendit, duke u shndërruar, sipas tij, në shpresën e vetme për ndryshim politik në Shqipëri.

Fjalimin e tij, kreu i PD-së e mbylli me një mesazh besimi dhe vendosmërie, duke theksuar se beteja politike e opozitës do të vazhdojë deri në realizimin e objektivave të saj.